Besa Zogaj – Gashi është Drejtoreshë Ekzekutive e Institutit IETL dhe ka rolin e menaxheres dhe hulumtueses në këtë projekt. Zogaj – Gashi ka një përvojë të gjatë në menaxhimin e projekteve të ndryshme në nivel lokal dhe qendror, duke punuar me institucione vendore dhe ndërkombëtare, veçanërisht në hartimin e dokumenteve strategjike për zhvillim ekonomik lokal. Me një përvojë të mëparshme si Zëvendësministre në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës, Zogaj – Gashi ka menaxhuar dhe koordinuar me sukses projekte të ndryshme në kuadër të kësaj ministrie. Si auditore e licencuar për Mjedis Miqësor Biznesor dhe eksperte në fushën e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, Zogaj – Gashi do të sjell një dimension të rëndësishëm në trajtimin e këtij projekti. Roli i Zogaj – Gashit në këtë proces do të përqendrohet në nxitjen e diskutimeve dhe dhënien e rëndësisë së objektivave dhe projekteve që do të kontribuojnë në avancimin e ekonomisë kulturore në Kryeqytet.
Philippe Kern është themelues dhe drejtor i përgjithshëm i KEA – qendrës konsulence dhe kërkimore kryesore në Evropë për kulturën dhe industritë kreative, e vendosur në Bruksel. KEA ndihmon territoriet në menaxhimin e burimeve kulturore dhe kreative për të ofruar inovacion dhe qëndrueshmëri ekonomike. Philippe ka mbi 25 vjet përvojë në botën e kulturës, industrive kreative, çështjeve publike dhe këshillimit ligjor. Ai është specialist në ekonominë e kulturës, të drejtat e autorit, ligjin kundër monopolit dhe tregtinë. Ai ka udhëhequr një sërë programesh kërkimore dhe strategjike në nivel ndërkombëtar, veçanërisht për Komisionin Evropian dhe Parlamentin Evropian, Këshillin e Europës dhe WIPO-n. Philippe themeloi IMPALA në vitin 2000. Ai ishte ish-drejtor i çështjeve publike dhe ligjore të PolyGram (tani Universal) dhe kreu i zyrës së IFPI në Bruksel. Që nga viti 2019, ai është kryetar i b.creative, rrjetit ndërkombëtar të sipërmarrësve kulturorë.
Donjetë Murati është hulumtuese, kuratore dhe punëtore e kulturës në Prishtinë. Studimet Master në Sociologji i kreu në “The New School” të Nju Jorkut me fokus në Sociologjinë e Arteve, Politike dhe Analizën e Diskursit ndërsa ato universitare për Sociologji në Universitetin e Prishtinës. Së fundmi, Murati ishte koordinatore e programit dhe hulumtimit në Qendrën për Praktikë Narrative të Bienales nomade “Manifesta14Prishtina”. Ajo ishte përgjegjëse për programin publik në institucionin e sapo themeluar, prodhimin e veprave artistike dhe programet, si dhe moderimin e ngjarjeve dhe diskutimeve publike. Më parë, ajo ka qenë bashkëpunëtore e programeve dhe kërkimit në Fondacionin Lumbardhi. Projektet e saj më të fundit përfshijnë “Prej studio” me Ermir Zhinipotokun, “Përtej Binarit: Nëpër spektrin gjinor” me Kolektivin Zine dhe Institutin Sekhmet, “Pse nuk kemi ndërtuar një sferë Dyson?” një ekspozitë kolektive e komisionuar nga Kosovo 2.0 si dhe “Monumenti i Lules së Parë” me Astrit Ismailin në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Murati është një ndër themelueset e PART (Punëtorët në Art), një nismë që bashkon hulumtues, artistë, kuratorë dhe praktikues të pavarur në fushën e artit, të cilët shqyrtojnë dhe gjenerojnë përgjigje për formësimin e politikave kulturore në Kosovë.
Dardan Selimaj Angazhimi i tij shtrihet në botën e muzikës, gazetarisë dhe menaxhimit të ngjarjeve, kryesisht muzikore. Rrugëtimin në botën e muzikës e nisi si anëtar i korit prestigjioz të Filharmonisë së Kosovës (2003). Më vonë, ai mori rolin e menaxherit të Filharmonisë së Kosovës, detyrë të cilën e ushtron që nga viti 2012. Përkushtimi i tij për promovimin e muzikës në Kosovë shtrihet përtej orkestrës dhe korit të Filharmonisë. Është themelues i Festivalit DAM (2006) dhe Garës së Kompozitorëve të Ballkanit (2019). Selimaj është një ndër figurat kryesore në skenën kulturore të Kosovës. Ai luan një rol jetik si anëtar i Këshillit Iniciues të Operës së Kosovës, duke kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e këtij institucioni të ri kulturor. Ekspertiza e tij shtrihet edhe në sferën e televizionit, duke qenë për afro dy dekada pjesë e industrisë. Rolet e tij të gjithanshme si gazetar, prezantues dhe producent televiziv i kanë dhënë atij një mundësi të njoh thellë median. Për një dekadë, ai shërbeu si Producent Ekzekutiv i Kohavisionit.
Sali Shoshi është drejtor ekzekutiv i “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB) në Kosovë, pozitë të cilën e mban që nga viti 2001. Rrugëtimi i tij me CHwB filloi si asistent arkitekt, duke u shndërruar në rolin e menaxherit të projektit për restaurimin e pesë kullave tradicionale në Kosovë, projekt i cili me sukses u përmbyll në vitin 2004. Në cilësinë e tij aktuale si Drejtor Ekzekutiv, Shoshi luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit të partnerëve dhe organizatave lokale dhe ndërkombëtare. Përveç kësaj, ai angazhohet në mënyrë proaktive me institucionet vendore dhe shoqërinë civile për të siguruar zbatimin efikas të nismave të ndryshme për trashëgimi kulturore. Përvoja dhe ekspertiza e gjerë e Saliut shtrihet përtej kufijve të Kosovës, siç dëshmohet nga angazhimet e tij ndërkombëtare ku ai ndan njohuri mbi tema përkatëse si trashëgimia, rindërtimi dhe pajtimi në skenarët e konfliktit dhe pas konfliktit. Përpjekjet e tij kanë qenë të rëndësishme në nxitjen e një marrëdhënie të fortë pune midis vendeve skandinave dhe atyre të Ballkanit.
Arta Agani jeton dhe punon në Prishtinë. Prej gushtit të vitit 2016 deri në gusht të vitit 2020, ajo ishte drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Është shefe e drejtimit për dizajn të komunikimit dhe profesoreshë e tipografisë në Akademinë “Evolucion” që prej vitit 2007. Ka të mbaruar masterin në dizajn grafik në Universitetin e Prishtinës dhe është certifikuar për dizajn ekspozitash nga Departamenti i Shkencave të Imazhit në Universitetin Donau në Krems të Austrisë. Karriera e saj profesionale përfshin dizajnin si profesion kryesor, projekte artistike dhe ekspozita, duke u përqendruar në menaxhimin e projekteve artistike dhe kurimin e ekspozitave. Angazhimet e saj më të fundit ishin në vitin 2017 si kuratore e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e 57-të të Venecias me artistin Sislej Xhafa dhe në vitin 2019 si komisionere e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e 58-të të Venecias me kuratorin Vincent Honore dhe artistin Alban Muja. Është themeluese dhe drejtore e Institutit ROMB për kërkime artistike dhe kulturore, si dhe bashkëpunon me Globalodromia Filoart nga Berlini si kuratore. Së voni është angazhuar në kolegjin “Universum” si mësimdhënëse e konceptit të dizajnit, teknologjisë së shtypit e paketimit dhe tipografisë.
Vullnet Sanaja është udhëheqës në organizatën Anibar. Në 15 vjetët e fundit ka qenë i angazhuar në zhvillimin e skenës së pavarur të kulturës në Kosovë dhe rajon përmes ngritjes së kapaciteteve të menaxherëve kulturorë, avokimit për kushte më të mira të punës e mbështetje publike dhe zhvillimit e rrjetëzimit të organizatave të pavarura të kulturës. Sanaja ka qenë i angazhuar në iniciativa e organizata tjera kulturore e mjedisore në role të ndryshme siç janë: Kooperativa – platforma regjionale e kulturës, Trans Europe Halles, Akademia e Animacionit, Peja Jazz, RrOK Peja, ERA, Kino për qytetin, Forumi Kulturor, Into the Park Festival dhe European Animation Awards.
Adrian Berisha ka shërbyer si Drejtor i Kulturës në Komunën e Prishtinës duke u përkushtuar në zhvillimin e politikave kulturore të kryeqytetit në bashkëpunim me institucione të tjera kulturore lokale, qendrore dhe rajonale. Në vitin 2022, Berisha u angazhua si koordinator i eventeve në Bienalen nomade “Manifesta14Prishtina”. Si koordinator gjeneral ai qe angazhuar edhe nga institucioni i Operës së Kosovës për disa projekte. Në fillim të vitit 2023, Berisha u bë pjesë e grupit iniciues për krijimin e kolektivit fluid artistik DISKO GRUPI. Si autodidakt dhe artist i pavarur, Berisha ka arritur të bëhet i njohur në qytetin e tij, duke u dalluar jo vetëm në fushën e muzikës por edhe përmes përfshirjes në veprimtari të ndryshme shoqërore dhe kulturore. Ndërhyrjet e tij në skenën artistike kanë qenë të shumta. Ai u bë pjesë e “Sunny Hill Festival” si koordinator i logjistikës, për të vazhduar me projekte të tjera si: Prishtina Jazz Week, Verë n’ Dimër dhe koncertet e bendeve dhe artistëve të famshëm botëror. Berisha është nderuar me çmimin për kontribut në shoqëri nga iniciativa “PËR TË MIRËN” e krijuar nga aktivisti Mentor Dida.
Aktualisht, është duke i ndjekur studimet në “Rome Business School” në drejtim të menaxhimit të projekteve të artit dhe kulturës.
Qëndresa Zeka është dizajnere grafike. Aktivitetin e saj ajo e shtrinë midis Milanos dhe Prishtinës. Ka përfunduar studimet në dizajn grafik dhe studimet master në fushën e dizajnit të inovacionit. Gjithashtu ka të përfunduar studimet master edhe në transformim digjital me fokus në dizajn të bizneseve të reja. Ka punuar si dizajnere grafike dhe koordinatore programi në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor si dhe dizajnere grafike për Manifesta 14 në Prishtinë dhe Manifesta 15 në Barcelonë.
Rina Statovci gjatë 5 viteve të fundit ka qenë e angazhuar në organizata dhe iniciativa të shumta kulturore në role të ndryshme. Statovci ka punuar në zhvillimin e programeve dhe audiencës duke qenë e angazhuar si asistente për marrëdhënie me publikun në Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe koordinatore e “Paper Gallery” ku ka krijuar dhe mbikëqyrur programin vjetor të ekspozitave dhe promovimin e tyre.Në vitin 2021 ka punuar me organizatën “Anibar” si drejtuese e departamentit të medias dhe komunikimit duke mbikëqyrur strategjinë e komunikimit të organizatës gjatë gjithë vitit. Në vitin 2022, Statovci ishte e angazhuar si menaxhere e projekteve dhe ngjarjeve për komunitetin në “Manifesta14Prishtina”, ku ishte përgjegjëse për organizimin dhe menaxhimin e ngjarjeve në Oaza të Qendrës për Praktikë Narrative.